Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor pati kënaqësinë të takohej me Ambasadorin e Francës në Maqedoninë e Veriut, SH.T. Cyrille Baumgartner. Gjatë këtij takimi, u diskutua për marrëdhëniet e ngushta mes dy shteteve dhe mbështetjen e vazhdueshme që Franca ka ofruar për vendin në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri theksoi rëndësinë e mbështetjes së Francës në rrugën e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE dhe falënderoi Ambasadorin Baumgartner për rolin kyç të Francës në këtë proces. Po ashtu, u diskutua për Propozimin Francez, që për Ambasadorin është një rrugë e sigurt dhe e qëndrueshme për arritjen e këtij objektivi.
Takimi përfshiu gjithashtu diskutime mbi projektet e rëndësishme në fushën e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, të cilat do të fillojnë së shpejti. Zëvendëskryeministri falënderoi Ambasadorin për urimet dhe inkurajimin për realizimin e projekteve, duke synuar përmirësimin e kushteve për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.