Shndërrimi i rrugës së Çairçanes në bulevard, prioritet absolut i yni nga dita e parë e mandatit!
Sot, së bashku me kryetarin e BNJVL-së dhe kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, vizituam zonën ku planifikohet ndërtimi i Bulevardit “Cvetan Dimov”. Ky projekt është në fazën e planifikimit, dhe ne premtojmë bashkëpunim të ngushtë për ta bërë realitet sapo të marrim detyrat e reja në komunë dhe qytet.
Bulevardi do të shtrihet dhe zgjerohet duke përfshirë hapësira të gjelbra, trotuare të gjera, shtigje për biçikleta dhe ndriçim modern, duke e bërë atë një nga arteriet kryesore të komunikacionit për të gjithë qytetin.
Përveç kësaj, së bashku me arkitektë të njohur nga vendi dhe jashtë, po hartojmë një masterplan të ri për Çairin, ku bulevardi “Cvetan Dimov” është një element kyç për zhvillimin urban të komunës.
Vetëm gjatë 10 muajve të fundit, përmes angazhimit tonë në Qeveri, kemi siguruar fonde për projekte komunale dhe infrastrukturore në Çair, përfshirë 65 milionë euro për projekte të mëdha si parkimi nëntokësor te sheshi “Skenderbeu” dhe kampusi universitar “Nënë Tereza”.
