REGJIMIT PO I VIJE FUNDI

Të nderuar,
Dita e zgjedhjeve po afron. Ndryshimi i madh politik e shoqëror është për çdo ditë e më afër. Për këtë arsye regjimi në ikje është në krizë të thellë. Nga dëshpërimi, eksponentët e pushtetit nuk po zgjedhin mënyrat për të ushtruar presion ndaj qytetarëve, e në veçanti ndaj nëpunësve të administratës shtetërore.
Kryeministri teknik të cilit i kanë mbetur edhe 72 ditë duke mos pasur peshë politike për të përmirësuar jetën e qytetarit ka marrë hov për të disciplinuar administratorët duke treguar versionin më të vrazhdë të vetvetes përpara syve të mbarë opinionit publik.
Pyesim publikisht: a është incidenti i djeshëm i Talat Xhaferit në Tetovë një standard i mirëfilltë europian? A keni parë ndonjë kryeministër të ndonjë shteti europian që të sillet me arrogancë të skajshme ndaj qytetarëve të vet, t’i poshtërojë në vendin e punës, para kolegëve e para kamerave, para familjeve, fëmijëve e të afermve të tyre?! A keni parë ndonjë kryeministër të ndonjë shteti europian i cili, në tentim për të mbuluar dështimet e qeverisjes së tij me pasaportat dhe letërnjoftimet, e fajëson nëpunësin e thjeshtë dhe i mban leksione publike për atë se si duhet ta bëjë punën?!
Pyesim publikisht ambasadorët atë Europian, Gjerman, Francez, Holandez, por edhe Ambasadoren e SHBA-ve, vallë mendojnë se një kryeministër i cili sillet në mënyrë nënçmuese ndaj nëpunësve të administratës është i denjë dhe meriton ta mbajë atë pozicion publik?!
Të nderuar, sjellja e djeshme e kryeministrit teknik Talat Xhaferi nuk përfaqëson asnjë vlerë europiane! Përkundrazi, kjo sjellje na kujton regjimet jodemokratike e përjashtuese siç kanë qenë Rusia e Stalinit, Shqipëria e Enver Hoxhës, Rumania e Çausheskut e sot ndoshta Koreja e Veriut!
Opozita e bashkuar nuk ka asnjë dyshim se prapa incidentit të djeshëm fshihet një mesazh edhe më i rrezikshëm që pushteti në ikje po përpiqet ta transmetojë: frikësimi i nëpunësit shtetëror dhe trysnia ndaj administratës shtetërore që përmes frikës të mbahet nën kontroll dhe në ditën e zgjedhjeve të votojë për diktaturën e fundit në territorin e Europës. Pushteti është në panik! Ata më nuk zgjedhin as mjetet as mënyrat për të ushtruar presion ndaj qytetarëve vetëm e vetëm për të ruajtur pozitat e tyre deri në fund.
Të nderuar qytetarë, zgjedhjet po afrohen. Vota e secilit prej jush për opozitën e bashkuar do të jetë mbështetje për ç’rrënjosjen e regjimit, për delegjitimimin final të diktatorëve me mandate teknike, për eleminimin e figurave me logjikë dhe sens diktatori nga institucionet demokratike, për çlirimin përfundimtar të shoqërisë tonë nga një kastë e delegjitimuar dhe bajate e politikanëve që kanë humbur çdo kontakt me realitetin.
NDRYSHIMI PO VJEN. BESONI, IA VLEN.
E mëparshme NDRYSHIMI I MADH në zonën 5 zgjedhore fillon nga DOLLNENI!

Connect With Us

Lëvizja Demokratike - #Lëviz