Bashkim Hasani, i lindur më 28 nëntor 1980 në fshatin Pirok, është një profesionist me përvojë të gjerë në menaxhim administrativ dhe institucione publike. Aktualisht, ai shërben si Drejtor i Ndërmarrjes Publike për Kullosa.
Arsimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Gostivar, ndërsa ka diplomuar në Fakultetin e Edukatës Fizike, Sportit dhe Shëndetit pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Gjatë karrierës së tij, Bashkimi ka mbajtur disa pozita kyçe në sektorin publik dhe administrativ. Nga viti 2002 deri në 2008 ka punuar si Profesor i Edukatës Fizike. Në vitet 2008-2013 ka shërbyer si Drejtor i Institucionit Kombëtar, Qendra për Kulturë – ASNOM në Gostivar. Nga 2013 deri në 2019 ka qenë Udhëheqës i Sektorit për Mbështetje të Kryetarit të Komunës së Gostivarit, një rol që e ka mbajtur edhe nga viti 2022 deri në 2024.
Në vitin 2019, Bashkimi u emërua Zëvendësdrejtor i Administratës së Policisë Financiare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku ka punuar deri në vitin 2020. Pas kësaj, nga viti 2020 deri në 2022 ka shërbyer si Zëvendësministër i Mbrojtjes, duke kontribuar në politikat e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.
Ai zotëron aftësi të shkëlqyera gjuhësore, duke folur rrjedhshëm shqipen (gjuhë amtare), maqedonishten në nivel akademik dhe anglishten në nivel pune.