Në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 23-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, pritëm me nder korin diplomatik, përfaqësuesit e lartë shtetëror, përfaqësuesit e partive politike, shoqërinë civile dhe personalitete të tjera të shquara.
Në fjalën time, theksova rëndësinë e këtij dokumenti historik, i cili shërbeu si gur themeli për ndërtimin e një shteti të barabartë për të gjithë qytetarët, dhe që hapi rrugën për integrimin tonë në familjen evropiane. Ripërsërita gjithashtu përkushtimin e Qeverisë për të zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit dhe për të mbajtur gjallë frymën e saj, në të mirë të qytetarëve të sotëm dhe të gjeneratave që vijnë.
Këtë datë të rëndësishme për shtetin tonë, e shënuam me dinjitet institucional, duke kujtuar se 23 vjet më parë ajo solli paqen dhe stabilitetin në vendin tonë!