Sot me ministrin e Transformimit Digjital, Stefan Andonovski tek Sheshi Skëndërbeu, prezantuam fazën e re të portalit të shërbimeve publike, i cili tani ofron më shumë mundësi se kurrë.
Me vetëm disa klikime nga kompjuteri ose telefoni, në çdo kohë dhe nga çdo vend, mund të aplikoni, të paguani dhe të përfundoni shërbimet online. Portali është i disponueshëm në shqip, maqedonisht dhe anglisht, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë.
Ky portal është krijuar për të lehtësuar jetën e qytetarëve dhe kompanive.
Për qytetarët, ofrohen shërbime si ekstrakte, certifikata, letërnjoftime, dokumente udhëtimi dhe shërbime nga Kadastra. Për kompanitë, janë të mundshme licencat, vërtetimet për stazh e punësim, vërtetimet gjyqësore dhe shërbimet nga Agjencia e Ushqimit.
Një kategori shumë e rëndësishme janë studentët. Për të përfituar vauçera për pajisje elektronike si laptopë apo kompjuterë, studentët duhet të regjistrohen në këtë portal dhe të aplikojnë vetëm online, duke ndjekur statusin e aplikimit në kohë reale, pa pritje dhe pa sportele.
Së shpejti, edhe Komuna e Çairit do t’i digjitalizojë të gjitha shërbimet e saj, duke sjellë standarde moderne për qytetarët.
Prandaj, ftoj çdo qytetar, kompani dhe sidomos studentët, të regjistrohen dhe ta bëjnë këtë portal pjesë të përditshmërisë, sepse çdo shërbim administrativ do ta marrin ma lehtë dhe shpejt!
