Me ftesë nga Medreseja “Isa Beu” në Shkup, mora pjesë në panelin e diskutimit për një ndryshim të rëndësishëm ligjor, tashmë të realizuar: integrimin zyrtar të këtij institucioni në sistemin arsimor shtetëror.
Me gëzon fakti që, përmes këtij ligji, i kemi dhënë fund një padrejtësie të kahershme.
Ligji i ri i hap rrugë barazisë së plotë për medresantët, duke i njohur të drejtat e tyre si çdo nxënës tjetër në shkollat e mesme shtetërore. Këtë herë, zgjidhja është gjithëpërfshirëse, e mbështetur edhe nga vlerësimi pozitiv i Gjykatës Kushtetuese.
Medreseja “Isa Beu” në Shkup tani barazohet me të gjitha shkollat e mesme në vend, duke i hapur rrugën nxënësve të saj për të studiuar në universitete publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit.
Ky është një hap i rëndësishëm për njohjen e kontributit të këtij institucioni, që prej dekadash edukon breza me vlera, dije dhe përkushtim ndaj shoqërisë.
