Prezantohet shtylla e parë e programit tonë fitues, një plan i hartuar nga profesionistët për modernizimin e plotë të infrastrukturës së Çairit

Sot prezantuam shtyllën e parë të programit tonë fitues, një plan i hartuar nga profesionistët për modernizimin e plotë të infrastrukturës së Çairit, duke bërë zgjidhjen përfundimtare të problemit të parkimit, që prej dekadash rëndon mbi qytetarët tanë.
Po sjellim investimin më të madh në historinë e Çairit për hapësira parkimi. Do të bëjmë ndërtimin e parkingut nëntokësor me dy kate nën sheshin “Skënderbeu”, me kapacitet për 800 vetura në 12.500 m², që do ta lirojë qendrën dhe do ta rrisë vlerën e Çarshisë së Shkupit. Në Fushë Topanë do të rindërtohet edhe parkingu i madh prej 2.150 m², që do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin në lagje.
Krahas kësaj, do të ndërtohen garazhe moderne në kate në pesë pika strategjike: te kompleksi “Çairçanja”, në lagjen “Sauk Çeshmja”, në “Fushë Topanë”, në bulevardin “Nikolla Karev” dhe te salla “Partizani”. Kjo është zgjidhja e përhershme për parkimin në Çair!
Në fokus është edhe transformimi i plotë i rrugëve tona. Rruga “Cvetan Dimov” do të bëhet bulevard modern me 6 korsi dhe shtigje biçikletash. Zgjerimi i bulevardit “Mit’hat Frashëri” dhe lidhja “Xhon Kenedi” – “Nikolla Karev” do të krijojnë një korridor të ri komunikacioni, që do të ulë trafikun dhe do të lidhë më mirë Çairin me qytetin. Bulevardet e reja “Kroacia” dhe “Mali i Zi”, si dhe qarkorja e Gazi Babës pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore, do të hapin rrugë të reja zhvillimi për komunën tonë.
Rikonstruksione të plota do të bëhen në Topahanë, Çair të Vjetër, Fushë Topanë dhe Teneqe Mahallë, duke përfshirë rrugët “Emin Duraku”, “Ferid Murati”, “Masut Sadik”, “Parashqevi Qiriazi” e shumë të tjera.
Çairi do të ketë ndriçim të ri publik, instalime elektrike nëntokësore dhe rrugë njëkahëshe për më shumë rend, siguri dhe efikasitet.
Ky është programi fitues i zhvillimit, me projekte madhore dhe lokacione të sakta, që do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe bizneseve në çdo lagje të Çairit. Ky është plani i punës që do ta kthejë Çairin në një komunë moderne, funksionale dhe të rregulluar.
Është koha për investime, për punë dhe për zhvillim. Është koha që Çairi të ecë përpara!
E mëparshme Hapja e shtabit zgjedhor në lagjen Sahat Kulla

Connect With Us

Lëvizja Demokratike - #Lëviz