Në çdo berberi fshihet një histori e vogël suksesi, një biznes familjar që qëndron mbi punë, përkushtim dhe traditë.
Dhe, berberët e Çairit janë ata njerëz që çdo ditë takojnë dhjetëra qytetarë, dëgjojnë historitë e tyre, ndajnë hallet, gëzimet dhe sfidat e përditshme të komunitetit. Në ambientet e tyre takohen njerëz e figura të ndryshme, aty ndërthuren biseda për politikë, futboll, familje e përditshmëri. Shpeshherë aty nis edhe dita më e rëndësishme, sepse i vizitojmë për Bajram e festa, për dasma e gëzime, për çdo moment ku duam të ndihemi mirë dhe me vetëbesim. Prandaj, të bisedosh me ta, është sikur t’i lexosh në libër gjithë nevojat e Çairit!
Dhe, sonte pata kënaqësinë të takohem me berberët e Çairit, të dëgjoj nga afër mendimet, idetë dhe energjinë e tyre pozitive që e mbajnë gjallë ritmin e kësaj komune. Në çdo fjalë të tyre ndjeva krenarinë për profesionin, por edhe shqetësimet e tyre. U dhashë fjalën se do të vazhdojmë të mbështesim çdo profesion të ndershëm, çdo mjeshtër që punon me pasion dhe çdo familje që krijon vlerë në Çair.
Berberët, frizerët, zejtarët dhe tregtarët janë forca e vërtetë e ekonomisë lokale. Janë ata që me duart e tyre krijojnë bukuri, stabilitet dhe jetë në lagjet tona. Prandaj, ne do të jemi përkrah tyre me politika të qarta për zhvillim, me lehtësime për bizneset e vogla, me mbështetje për iniciativat familjare dhe me kushte më të mira pune që nxisin dinjitetin e punëtorit dhe fuqinë e vetëqëndrueshme të ekonomisë lokale.
Çairi do të mbetet shtëpia e mjeshtrave, vendi ku puna vlerësohet, ku tradita takohet me modernitetin dhe ku çdo njeri ka vendin e vet në historinë e qytetit tonë. Sepse Çairi është një familje e madhe që rritet mbi solidaritetin, punën dhe respektin për njëri-tjetrin.
