Sot vizitova Laboratorin Qendror të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, ku pash nga afër arritjet e fundit të kësaj strukture të rëndësishme, për monitorimin e mjedisit në vend.
Laboratori ka përfunduar me sukses procesin e reakreditimit, duke siguruar një certifikatë të re për një periudhë 4-vjeçare, e cila përfshin 20 metoda analitike, nga matja e zhurmës ambientale, deri te analizat e ujërave të zeza industriale dhe atyre sipërfaqësore.
Gjithashtu, në kuadër të projektit EU for Clean Air, Laboratori është pajisur me një aparaturë moderne ICP-MS, me vlerë rreth 160,000 euro, që do të mundësojë matjen e përqendrimit të metaleve të rënda në tokë, ujë dhe ajër. Instalimi i saj dhe trajnimi i stafit pritet të realizohen në shtator.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve tona shkencore dhe përmirësimit të cilësisë së monitorimit të mjedisit, në shërbim të një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët.
