Pas shumë viteve mungesë, volejbolli shqiptar në Shkup ka gjetur shtëpinë e tij, Klubin Shkupi Volley. Sot pata kënaqësinë të vizitoj këtë vatër sporti, që është bërë sinonim i përkushtimit dhe ringjalljes.
Themeluar nga z. Agim Latifi, i cili me vizion dhe pasion filloi punën me grupmoshat e reja që në vitin 2016, klubi u bë realitet i organizuar në vitin 2019. Që nga atëherë, Shkupi Volley ka arritur të rikthejë energjinë e këtij sporti në mesin e të rinjve, duke u bërë simbol i rilindjes së volejbollit shqiptar në Shkup.
Falë punës së palodhshme të kryetarit dhe trajnerit Agim Latifi, si dhe trajnerëve të përkushtuar Nazlije Latifi Miftari, Alba Misini dhe Ezana Hoti, klubi ka krijuar një rrugë të re për gjeneratat e reja, duke i afruar fëmijët dhe të rinjtë me sportin, disiplinën dhe frymën ekipore.
Rezultatet e suksesit flasin vetë, sepse, me shumë krenari, Shkupi Volley do të përfaqësojë komunitetin tonë në Ligën e Dytë Profesionale të Volejbollit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ky klub është shembull se si përkushtimi, vizioni dhe dashuria për sportin mund të rikthejnë një traditë të harruar dhe ta kthejnë në histori suksesi.
I falënderoj nga zemra për mikpritjen, dhe uroj që puna e tyre e vyer të vazhdojë të frymëzojë edhe gjeneratat e ardhshme.
